
Detaje të reja kanë dalë në pah gjatë procesit gjyqësor ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit, të cilët akuzohen për spiunazh në favor të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA). Në seancën e zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë trajtuar komunikimet e Qerimit me një zyrtar serb, informacionet që dyshohet se i janë përcjellë BIA-s, si dhe materialet e gjetura në telefonin e të akuzuarit.
Një nga çështjet që ka marrë vëmendje është biseda në të cilën Qerimi ka përdorur shprehjen “Kam një informacion që vlen sa krejt bota”, si dhe referimi i tij për një person me “gjysmë shpirti”. Këto komunikime janë përmendur në kuadër të shqyrtimit të provave dhe sqarimeve lidhur me kontaktet e tij me zyrtarin serb.
Informacionet përfshijnë të dhëna lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët dhe eprorët e saj, si dhe emra të zyrtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Qerimi dyshohet se ka mbledhur dhe transmetuar informacione për zyrtarin e BIA-s serbe, Sërgjan Rosiq.
Një tjetër element i rëndësishëm i rastit janë materialet e sekuestruara nga telefoni i Qerimit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, në telefon janë evidentuar shënime për krerët e UÇK-së, emra të dëshmitarëve të Dhomave të Specializuara në Hagë, zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe eprorë të Policisë së Kosovës.
Në materialet e përmendura nga Prokuroria figurojnë edhe informacione për raporte të brendshme të institucioneve të sigurisë.
Ndërkohë, gjatë shqyrtimit të provave, është raportuar edhe për një përplasje verbale ndërmjet prokurorit Bekim Kodraliu dhe avokatit Besnik Berisha.
https://www.facebook.com/share/r/1B1F1zzH4R/?mibextid=wwXIfr videoja e seances gjyqësore



