Kryhet rezultati i analizave toksikologjike për Agon Zejnullahun, flasin nga IML – ja kur pritet të mbyllet autopsia

Janë bërë më shumë se tre muaj prej vdekjes tragjike të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan. Pas publikimit të pamjeve u ngritën dyshime se ai u ngufat nga policët që po përpiqeshin ta arrestonin. Për këtë rast pesë policë janë duke u hetuar për vrasje nga pakujdesia. Ndërkaq sot ka folur ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML-së, Agron Thaqi. Ai ka thënë se mjeku ligjor përkatës ka pranuar javën e kaluar rezultatet e analizave toksikologjike dhe se raporti i autopsisë do të përfundojë brenda një periudhe të shkurtë.

Në natën e 7 korrikut të këtij viti, policia ka thënë se kanë pranuar informacione se i ndjeri po sulmonte me veturë kalimtarët në Lipjan. Gjatë arrestimit, Zejnullahu vdiq në duart e policëve. Pamjet që u publikuan shtuan dyshimet se bëhet fjalë për ngufatje.

Për këtë rast tashmë pesë policë po hetohen nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML-së, Agron Thaqi, ka thënë se rezultatet e analizave toksikologjike i ka pranuar javën e kaluar mjeku ligjor që e ka kryer autopsinë.

“Rezultatet e analizave toksikologjike për të ndjerin Agon Zejnullahu, janë pranuar javën e kaluar nga mjeku ligjor i cili ka kryer autopsinë dhe është përgjegjës për rastin në fjalë.”

Ai ka thënë se brenda një periudhe të shkurtë kohore do të përfundojë raporti i autopsisë dhe i njëjti do t’i dorëzohet prokurorit.

“Raporti i autopsisë ka qenë në pritje të këtyre rezultateve dhe pritet që brenda një periudhe të shkurtër kohore të përfundohet dhe të dërgohet tek prokurori kompetent”, tha ai për Express.

Thaqi nuk u përgjigj mbi gjetjet e deritanishme, duke thënë se raporti është dokument konfidencial.

“Theksojmë se raporti i autopsisë dhe gjetjet përkatëse përbëjnë dokument konfidencial, në të cilin kanë qasje vetëm mjeku ligjor përgjegjës për rastin dhe prokurori i rastit. Pas përfundimit të raportit, mjeku ligjor e dorëzon atë tek prokurori kompetent sipas legjislacionit në fuqi”, tha Thaqi.

IML pati lëshuar një reagim, një ditë pas rastit, ku thoshte se autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.

Ditën tjetër, IML tregoi se për shkak të renovimeve në objektin e saj disa mostra janë dërguar në Evropë dhe rajon pa përmendur specifikisht rastin e Agon Zejnullahut.

“Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, rreth 42 orë pas ngjarjes tragjike, Policia e Kosovës pati dalë me një version më të të ngjarjes. Ata thanë se kanë pranuar informacione që një person po i sulmonte qytetarët, sjellje të cilat janë shfaqur edhe në prani të policëve.

Në njoftim thuhej se i ndjeri ishte jo bashkëpunues dhe se ka tentuar të ikë, mirëpo është arrestuar. Sipas policisë, autoambulanca ka arritur në vendin e ngjarjes 3 minuta pasi e kanë thirrë. Ndër të tjerash, thuhet se te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.

Për rastin, u patën arrestuar pesë zyrtarë policorë nën dyshimet për “Vrasje nga pakujdesia”. Bëhet fjalë për Ibrahim Nelën, Albian Ratkocerin, Artidon Konxhelin, Liridon Rrahmanin dhe Endrit Beqirin.

Fillimisht ndaj tyre u caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh mirëpo më pas Gjykata e Apelit i liroi ata.

Albani, vëllai i të ndjerit, një ditë më pas tha se përgjegjës për vdekjen e vëllait të tij janë policët të cilët, siç tha ai, shiheshin mbi të gjatë arrestimit.

“Avokati do të sigurojë një video që nuk u pa deri tash, ku shihet qartë prej momenti të shtrirjes deri në momentin kur (Agoni) fillon me bërtitë: lëshom se ma naltë frymën, i prek, çka jeni tu më ba kështu, i hypi njani një minutë e 30 ca sekonda, ia vendos këmbën në kokë, derisa nuk lëvizë, të tjetër i mëshonin sa munden”- ka thënë ai, duke shtuar se “policët duke parë situatën e kanë lagë me ujë në fytyrë (Agonin), e kanë lidhë me pranga ashtu të vdekur kokën-poshtë dhe e kanë thirrë Emergjencën.”

Ai ka thënë se ka dyshime se ka pas insistime me e fshehë të vërtetën për vdekjen e vëllait të tij.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button