“Ishin në detyrë kur ndodhi aksidenti”, KQZ deklarohet për pesë anëtarët e lënduar në Ferizaj: 4 janë në gjendje të rëndë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me njoftim lidhur me aksidentin e rëndë në Ferizaj ku u përfshinë pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në këtë komunë, raporton GazetaDemos.
KQZ thotë se aksidenti ndodhi teksa të njëjtit ishin në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor.
“Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse”, thuhet në njoftim.
KQZ gjithashtu vlerësoi lart punën e pesë zyrtarëve të lënduar, për të cilët tha se ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt.
“Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre:, thuhet ndër tjera.