Abdixhiku pas dështimit të formimit të qeverisë: Ra perdja e popullizmit

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dështimit të votimit për formimin e Qeverisë “Kurti 3”, duke deklaruar se “ra perdja e popullizmit”.
“Folëm një herë brenda, ra perdja dhe e patë edhe ju që ra perdja e popullizmit”, tha Abdixhiku në një prononcim për media pas përfundimit të seancës.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme në Kuvend për të formuar qeverinë e re. Nga votimi i sotëm, 56 deputetë votuan për, 52 kundër, ndërsa 4 abstenuan.
Pas këtij dështimi, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, deklaroi se përgjegjësia tani kalon te Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila do të zhvillojë konsultime me subjektet politike.
Brenda një afati prej 10 ditësh, ajo mund të propozojë një kandidat tjetër për kryeministër, sipas procedurave të përcaktuara me Kushtetutë.



