Kurti: Kemi plane të tjera për Besnik Bislimin

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se emrat e propozuar të kabinetit qeveritar, i cili dështoi të votohej në një seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re të dielën, nuk ndërlidhen me vlerësimin e performancës së ministrave të kaluar.
Kurti, tha të hënën në një konferencë për media në objektin e Qeverisë së Kosovës, se edhe mospropozimi i Besnik Bislimit dhe Arbërie Nagavcit në kabinetin e propozuar të dielën, nuk kanë të bëjnë me çështje të performancës së tyre në qeveri.
Ai tha se Vetëvendosje ka plane të tjera për Bislimin e Nagavcin, si dhe Hysen Durmishin, u.d. të ministrit në detyrë të Infrastrukturës.
“Të gjithë emrat që janë propozuar, janë rezultatet i analizave tona të brendshme. Emrat e përveçëm nuk janë si rezultat i një vlerësimi apo mosvlerësimi, por janë kryekëput çështje e fazës që na pret për plane dhe programet tona. Plane të tilla kemi edhe për emrat e përveçëm që u thanë këtu. Ne do të jemi bashkë në ecjen tonë, por kush, kur dhe ku nuk kanë të bëjnë me vlerësimin tim por me fazat të cilat na presin”, tha Kurti.
Për propozimin e kryeparlamentarit Dimal Basha si ministër në kabinetin e propozuar qeveritar, të dështuar të formohet, Kurti tha se gjithnjë e ka parë Bashën si një anëtar të ekzekutivit.
“Për kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, gjithmonë e kam paramenduar atë për ekzekutiv. Dhe, ju e dini mirë që për kryetar Kuvendi, Lëvizja Vetëvendosje e ka preopozuar gruan më të votuar, Albulena Haxhiun”, tha Kurti.



