IPK nis hetimet për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt nga Policia e Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar rastet e raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.

Në një përgjigje për Radio Dukagjinin, IPK-ja ka konfirmuar se veprimet po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të verifikimit të plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.

Sipas IPK-së, në kuadër të hetimeve do të shqyrtohen edhe shqetësimet e ngritura në media lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë përgjegjës, përfshirë komunikimin me viktimën, kohën e reagimit dhe trajtimin e secilit raportim që ndërlidhet me rastin.

Qëllimi i hetimeve është vlerësimi i ligjshmërisë së veprimeve policore dhe përputhshmërisë së tyre me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive të mundshme individuale dhe institucionale.

IPK-ja ka bërë të ditur se, në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, synon të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të çështjes, në përputhje me mandatin ligjor dhe duke respektuar integritetin e procesit hetimor

Artikuj të tjerë

Back to top button