Haziri zbulon qëllimin e takimit të Abdixhikut me Limajn

Lutfi Haziri ka thënë se takimi i liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku me Fatmir Limajn e Nismës ndërlidhet me një marrëveshje eventuale bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Hazirit, marrëveshja eventuale e LDK-së me Nismën nuk ka të bëjë me situatën aktuale politike, të krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Bashkëpunimi më shumë është në funksion të zgjedhjeve të ardhshme”, tha ai të enjten në një deklaratë për Euronews Albania.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se raportet e LDK-së me Limajn janë të hershme. Që nga koha e lidershipit të Isa Mustafës në LDK.
“Fatmiri ia ka kthyer dashninë LDK-së si duket tash, më shumë sesa kur ka qenë nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Raportet e bashkëpunimit politik me z. Limaj, LDK i ka që nga koha e bashkëpunimit politik të tij me LDK-në që nga periudha e nënkryetarit të tretë të LDK-së, z. Mustafa, në veçanti”, ka thënë Haziri në një deklarim për Euronews të enjten.
“Se sa z. Abdixhiku do të arrijë ta bëjë funksional këtë bashkëpunim, do të jetë çështje ditësh, javësh”, tha ai.



