A do lidhë koalicione paszgjedhore LDK-ja? – tregon Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se marrëveshjet pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale janë bërë në mënyrë transparente dhe i takojnë kandidatëve në nivel lokal, jo strukturave qendrore të partisë.
Zemaj tha se marrëveshjet e LDK-së janë të hapura dhe të menduara mirë.
“Ne shumicën e këtyre komunave ka marrëveshje, por marrëveshjet e LDK-së janë publike, janë transparente, janë të menduara dhe i takojnë nivelit lokal. I takojnë kandidatit dhe ekipës së tij, sepse tashmë është e qartë edhe nga ligji për zgjedhjet lokale. Është një garë që fillimisht bëhet mes partive politike, por kur kandidati kalon në balotazh, gara bëhet përtej subjektit të tij politik,” u shpreh Zemaj në Klan Kosova.
I pyetur për mundësinë e një koalicioni pas zgjedhjeve, ai tha se LDK nuk ka paragjykime, por theksoi se ndaj partisë ekziston një tendencë për ta përfshirë në narracione politike.
“Ne nuk kemi asnjë gjykim, sepse po e shihni që jemi në një situatë ku Kosova nuk ka qeveri qendrore. Ekziston një tendencë për t’u marrë shumë me LDK-në, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila po mundohet të ndërtojë një narracion edhe brenda atij grupit të vogël politik që e ka ‘Guxo’. Kjo, në këtë kuptim, është e pandershme,” tha Zemaj.
Ai shtoi se pavarësisht interesimit të disa subjekteve politike për ta pasur LDK-në në partneritet, partia ka mbajtur qëndrime të qarta dhe parimore.
“Po, edhe ata kanë pasur interes që LDK-në ta kenë në partneritet dhe përmes LDK-së ta krijojnë qeverinë. Por orientimet tona kanë qenë të qarta, të respektuara dhe të mirë-menduara nga Kryesia, nga kryetari dhe nga Këshilli i Përgjithshëm. Kjo konsistencë na ka bërë seriozë dhe parimorë, dhe është treguar frytdhënëse, si për ne, ashtu edhe për rezultatet e LDK-së,” theksoi ai.
Sipas tij, LDK është në përputhje të plotë me elektoratin e vet, ndërsa çdo interpretim tjetër e cilësoi si ndërhyrje me qëllim të keq.
“Ne jemi në konformitet të plotë me elektoratin tonë, ndërsa çdo interpretim tjetër është vetëm tendencë për ndërhyrje në punët e brendshme, një tendencë tekanjoze dhe me qëllim të keq,” përfundoi Zemaj.



