Aktakuzë për korrupsion kundër Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve

Rozeta Hajdari do të përballet në një proces gjyqësor me akuzat për korrupsion.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e Rezervave Shtetërore, një aferë që dyshohet se i ka shkaktuar afër tre milionë euro buxhetit të shtetit.
Prokuroria ka ngritur sot aktakuzë ndaj ministres së Qeverisë Kurti II dhe tre të tjerëve: dy zyrtarëve të MINT-it, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.
Hajdari, Gara dhe Lipovica dyshohen të tre për të kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Paparaci, merr vesh se të tre dyshohen se me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare në procedurat e blerjes së mallrave të Rezervës Shtetërore, duke i mundësuar përfitim financiar dy bizneseve të huaja: një kompanie turke dhe një kompanie polake.
Prokuroria, sipas informatave që ka siguruar Paparaci, e akuzon edhe Ridvan Muharremin, një afarist të afërt me Hajdarin dhe pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, për ndihmë në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Muharremi dyshohet se ka operuar si sekser në blerjen e mallrave për Rezervën Shtetërore, një pjesë e madhe e së cilës nuk ka ardhur asnjëherë në vendin ku ruhen rezervat e shtetit.
Afera e Rezervës Shtetërore doli në pah pas raportimit të mediave në vitin 2023. Ajo zbuloi përfshirjen e ministres Hajdari dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Tregtisë në procesin e negocimit të kontratave për blerjen e mallrave.
Dy kontratat, njëra për furnizim me grurë dhe tjetra për furnizim me vaj dhe sheqer, dyshohet se janë nënshkruar jashtëligjshëm në mars të vitit 2022.
Kontrata për blerjen e 10 mijë tonë grurë, përmes negocimit direkt i ishte dhënë kompanisë ‘Yafe Turizm Insaat Saanayi ve Tiçaret Anonim Sirketi’, një kompanie me bazë në Bursa të Turqisë. Ajo peshonte 4.8 milion euro. Pagesat për mallin ishin kryer 100 për qind në avans nga Ministria e Tregtisë, por 59 tonë grurë nuk kanë ardhur asnjëherë.
Vaji dhe sheqeri nuk kanë ardhur kurrë në tërësi, ndonëse MINT-i edhe për këtë kontratë kishte kryer pagesa në avans në vlerë prej 276 mijë eurove. Kontrata i ishte dhënë ‘Xanto SP’, një kompanie me bazë në Poloni.
Rozeta Hajdari u emërua ministre në Qeverinë Kurti II në mars të vitit 2021. Ajo vazhdoi të ushtronte funksionin më të lartë politik në MINT, pavarësisht prej faktit se ndodhej nën hetime penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare tash e një vit.



