Haki Emini i drejtohet BE-së: Pasivizimi i adresave po izolon mijëra shqiptarë në Luginë

Haki Emini, një nga aktivistët më të njohur për të drejtat e njeriut nga Medvegja, ka dërguar përmes avokatit të tij, Luka M. Jovanovic, një letër përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, me qëllim të ngritjes së shqetësimit për vështirësitë që po përballen shqiptarët etnikë në Serbi, veçanërisht ata në rajonin e Preshevës.

Në këtë letër, Emini denoncon politikën e pasivizimit të adresave, e cila ka prekur mijëra shqiptarë në Serbi, duke i përjashtuar nga regjistri civil dhe duke u pamundësuar pajisjen me dokumente bazë identifikimi, siç është letërnjoftimi. Si pasojë, shumë prej tyre nuk mund të udhëtojnë drejt Kosovës, pasi autoritetet kosovare pranojnë vetëm letërnjoftimin serb për hyrje në vend. Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në lidhjet familjare, shoqërore dhe ekonomike të banorëve të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit.

Sipas Eminit, kjo politikë e dyfishtë e autoriteteve serbe ka sjellë kufizime serioze në lirinë e lëvizjes dhe në ekzistencën e përditshme të shqiptarëve në këto zona, duke i lënë ata të izoluar si brenda territorit të Serbisë, ashtu edhe në raport me Kosovën. Mijëra qytetarë, të cilët janë hequr nga regjistri civil, po përballen me pamundësinë për të udhëtuar, për të ruajtur kontaktet familjare apo për të zhvilluar aktivitetet e tyre ekonomike.

Haki Emini, që prej vitit 2015 ka qenë një nga zërat e parë që ka ngritur çështjen e pasivizimit, shpesh duke u përballur me presione e kërcënime për angazhimin e tij. Ai ka kërkuar vazhdimisht ndërhyrje ndërkombëtare dhe një zgjidhje të shpejtë e të drejtë për komunitetin shqiptar në Luginë.

Siç raporton TandemPress, në letrën dërguar Peter Sorensen, Emini kërkon një reagim më të fuqishëm nga ana e Bashkimit Evropian dhe apelon për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Franko-Gjermane dhe asaj të Ohrit, të cilat parashtrojnë njohjen reciproke të dokumenteve personale, përfshirë pasaportat dhe letërnjoftimet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button