
Papa Leoni u ka bërë thirrje besimtarëve që historia e Krishtlindjes t’i kujtojë detyrën për të ndihmuar të varfrit dhe të huajt, duke theksuar se refuzimi i atyre në nevojë është i barasvlershëm me refuzimin e vetë Zotit.
Në meshën e Natës së Krishtlindjes, Papa Leoni tha se rrëfimi biblik për lindjen e Krishtit në një stallë, për shkak se nuk kishte vend në bujtinë, tregon qartë përgjegjësinë e të krishterëve për të mos ia mbyllur derën atyre që kanë nevojë, raporton “The Guardian”, transmeton Klankosova.tv.
Papa Leoni, i cili e ka vënë kujdesin për emigrantët dhe të varfrit në qendër të pontifikatit të tij të hershëm, theksoi se lindja e Krishtit dëshmon praninë e Zotit në çdo njeri. Ai foli gjatë meshës solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku morën pjesë rreth 6.000 besimtarë, ndërsa udhëhoqi 1.4 miliardë katolikë në mbarë botën drejt festës së Krishtlindjes.
“Në tokë, nuk ka vend për Zotin nëse nuk ka vend për njeriun. Të refuzosh njërin do të thotë të refuzosh tjetrin”, deklaroi Papa Leoni gjatë shërbesës.
Papa Leoni, i pari papë i lindur në Shtetet e Bashkuara, po feston Krishtlindjen e tij të parë si udhëheqës i Kishës Katolike, pasi u zgjodh në maj për të pasuar Papën e ndjerë Françesku.
Ai ka kritikuar më herët politikat përçarëse të emigracionit të ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe, gjatë meshës, citoi një thënie të Papës Benedikti XVI, i cili shprehej se bota shpesh nuk kujdeset për fëmijët, të varfrit dhe të huajt.



