
Qëndrim Kryeziu ka bërë të ditur se Albert Shabani, i njohur për angazhimin e tij politik në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje, është punësuar në kompaninë ISP – Broadcast, duke nisur nga data 7 mars.
Sipas Kryeziut, punësimi i Shabanit është realizuar në kuadër të përkushtimit për të ndalur ikjen e të rinjve nga Kosova dhe për t’u krijuar atyre mundësi pune brenda vendit.
Ai ka theksuar se bindjet politike të individëve nuk duhet të jenë pengesë për angazhimin profesional, duke nënvizuar se Kosova duhet të vendoset mbi interesat partiake.
Kryeziu ka vlerësuar se ruajtja e rinisë dhe krijimi i kushteve për punësim janë ndër prioritetet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Postimi i plotë:
Albert Shabani i është i njohur si njëri nga flamurtarët më të zjarrtë të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ai nuk ka kursyer asgjë nga vetja në mbështetje të këtij subjekti politik.
Së fundmi u bë e ditur se shumë shpejt do ta braktiste Kosovën në kërkim të një jete më të mirë në Gjermani.
Jam i nderuar që pata rastin ta pres sot në zyrën time dhe ta bind që të mos e ndërmarrë këtë hap të dhimbshëm.
Që nga 7 marsi, ai do të jetë pjesë e kompanisë ISP – Broadcast. Albert Shabani dhe të tjerë si ai kanë të drejtë t’i ruajnë bindjet dhe preferencat e tyre politike pa asnjë presion, si qytetarë të lirë të këtij vendi.
Por një gjë duhet ta kemi të qartë: Kosova është mbi partitë. Dhe asgjë nuk e dëmton më shumë shtetin tonë sesa shndërrimi i tij në djerrinë nga ikja e rinisë drejt vendeve perëndimore. Prandaj, angazhimi kundër zbrazjes së Kosovës sot është njëra nga detyrat më patriotike që e kemi para vetes.
Nuk guxojmë ta përçudnojmë politikën në lojë për një mandat, por ajo duhet ta ruajë misionin e saj si përkushtim jetësor për gjeneratat e ardhshme.



