
Deputetja e Lidhja Demokratike, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj largimit nga puna të gazetares Edina Avdiu nga Radio Televizioni i Kosovës, duke e cilësuar këtë akt si goditje direkte ndaj lirisë së medias dhe pavarësisë së saj.
“Akti i largimit nga puna i gazetarës Edina Avdiut është sulm i hapur ndaj lirisë së shtypit dhe pavarësisë së mediave në Kosovë”, shkroi Bajrami, duke e vendosur rastin përtej një çështjeje të thjeshtë pune dhe duke e shndërruar në debat mbi gjendjen e demokracisë në vend.
Në reagimin e saj, ajo e kritikon drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë e tij. “Po, Kurti jep shtesa për lehona, por nuk i mirëkupton gratë që nuk pajtohen me të, që i bëjnë pyetje të vështira e kërkojnë argumente në vend të propagandës”, shkroi Bajrami, duke e cilësuar qëndrimin ndaj gazetares si hipokrizi politike. Ajo shtoi se “këta që veten e quajnë ‘qeveri e popullit’, popullin e duan vetëm për vota e duartrokitje. Nëse nuk pajtohesh me ata, të konsiderojnë armik.”



