Krasniqi: Nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet

Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi në fund të fjalës së tij përfundimtare tha se nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet.
“Nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”, tha Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi se zëri i tij qëndron për lirinë dhe në atë që ka besuar se e kërkon fisnikëria njerëzore.
“Zëri im qëndronte për lirinë dhe në atë që besova se e kërkonte fisnikëria njerëzore”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se nëse shikohen provat në mënyrë objektive, do të gjendet e vërteta.
“Asnjë dëshmitar nuk ka thënë ndryshe. Ju kërkoj t’i shqyrtoni provat dhe dëshmitë në mënyrë objektive dhe aty do të gjeni të vërtetën. Drejtësia nuk i frikësohet shqyrtimit, ajo varet prej tij”, tha ai.
Krasniqi tha se populli i Kosovës nuk planifikoi asnjëherë shkatërrim dhe torturë, por kërkoi liri dhe pavarësi.
“Populli ynë nuk planifikoi asnjëherë shkatërrim apo torturë. Ne, kërkonim jetë në liri dhe pavarësi. Asgjë më shumë. Asgjë më pak. Sot populli ynë jeton në liri”, tha ai.
Jakup Krasniqi në fund të fjalës së tij, kërkoi drejtësi- e cila sipas tij shihet qartë.
“Unë këtu e përfundoj fjalën time, duke kërkuar drejtësi e cila shihet qartë”, tha Krasniqi.
Me kaq u mbyll edhe kjo çështje gjyqësore deri në ditën e shpalljes së aktgjykimit si fazë finale në procedurat e shkallës së parë.



