“Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, vendosen etiketa fyese në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se sot, në ambientet e jashtme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, janë vendosur etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit.

Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi” dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.

Menjëherë pas identifikimit të këtij akti, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar autoritetet kompetente gjermane. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërkombëtare, duke vazhduar të ushtrojë misionin e saj diplomatik në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare.

Artikuj të tjerë

Back to top button