
Pas dy orësh mbylljeje, është rihapur pikëkalimi kufitar me Serbinë në Jarinjë.
Për dy orë kjo rrugë qëndroi e mbyllur për shkak të protestës së paralajmëruar për dy orë në territorin e Serbisë.
Partia e Re Demokratike pati paralajmëruar protestë kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për të zbatuar Ligjin për të huajt dhe atë për automjete.
Një ditë më parë, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar dhe Ministria e Punëve të Jashtme, paralajmëruan qytetarët që të planifikojnë udhëtimet dhe të shmangin pritjet potenciale.
Gjithsesi, në mëngjesin e së shtunës, Qeveria e Kosovës është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira. Me kërkesë direkte nga Bashkimi Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.



