Vendimi i Kurtit për ndarje të 100 eurove, reagon DvN: Rast klasik i keqpërdorimit të resurseve publike në kohë zgjedhjesh

Demokracia në Veprim ka reaguar pasi Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për disa kategori, në prag të zgjedhjeve.

DvN, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se ky vendim, i marrë vetëm pak kohë para zgjedhjeve, përbën shkelje ligjore dhe një rast klasik të keqpërdorimit të resurseve publike gjatë periudhës zgjedhore.

Për më tepër, shpërndarja e pakove masive financiare krijon ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës ndërmjet subjekteve politike, duke krijuar avantazh të padrejtë për partinë në pushtet.” – thuhet në reagim.

Tutje, nga DvN kanë deklaruar se legjislacioni zgjedhor ndalon qartazi përdorimin e resurseve publike për qëllime që ndikojnë ose mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve.

“Ky parim vlen për secilën formë, përfshirë përdorimin e buxhetit të shtetit, por edhe përdorimin e automjeteve, zyrave dhe administratës publike gjatë fushatës, për të krijuar përfitime elektorale.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e DvN-së.

Kjo situatë bëhet edhe më problematike nga fakti se ndihma financiare shpërndahet në mënyrë të përgjithshme dhe pa ndonjë situatë të re emergjente që do të arsyetonte masa të tilla urgjente. Kjo e bën të vështirë ndarjen ndërmjet politikës sociale dhe ndërhyrjes elektorale, pasi mbështetja për qytetarët duhet të ndërtohet përmes politikave të qëndrueshme, të planifikuara dhe të trajtuara përmes procedurave të rregullta institucionale, e jo përmes vendimeve të improvizuara në prag të zgjedhjeve.”

Artikuj të tjerë

Back to top button