Hamza për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen faqebardhë, i presim me fitoren e PDK-së

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë tubimit për hapjen zyrtare të fushatës ka folur për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke shprehur besimin se ata do të rikthehen në Kosovë me dinjitet dhe të pafajshëm.
Hamza tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi aktualisht ndodhen larg familjeve të tyre, por theksoi se historia e Kosovës dhe sakrifica për liri nuk mund të mohohen apo të ndryshohen.
“Sot liderët tanë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi tani ndodhen larg familjeve të tyre, në Hagë. Ne besojmë në drejtësi, ne besojmë në të vërtetën dhe ne besojmë e jemi të sigurt se historia nuk mund të rishkruhet. Ata janë vetëm individë, ata janë pjesë e historisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Ai u shpreh i bindur se asgjë nuk do ta zbehë kontributin e tyre për çlirimin e vendit dhe shtoi se ata do të kthehen “faqebardhë dhe krenarë”.
“Unë besoj fort që ata do të kthehen faqebardhë dhe krenarë, do të kthehen më të fortë, sepse askush nuk mund ta zbeh sakrificën për lirinë e Kosovës e askush nuk mund ta ndal ecjen përpara të Kosovës”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë për ndryshim, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik.
“Ju me 7 qershor do të vendosni a do të vazhdojmë me krizë, apo të ndryshojmë Kosovën. Unë besoj që Kosova është gati për stabilitet, gati për kompetencë, gati për zhvillim dhe unë besoj që bashkë mund ta ndalim krizën, bashkë mund ta ndërtojmë Kosovën”, tha Hamza.
Hamza shtoi se fitorja e partisë do të ishte edhe një pritje simbolike për kthimin e ish-liderëve të UÇK-së në Kosovë.
“Stop krizës, ndrysho Kosovë, voto numrin 125, Partinë Demokratike të Kosovës, sepse me fundin e këtij procesi liderët tanë do të kthehen në Kosovën e lirë, në Kosovën e tyre dhe ne do t’i presim me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe të gjithë çlirimtarët”, deklaroi ai.



