Sheshi është i PDK-së, jo i Qeverisë: Gjykata Supreme refuzon ankesën e VV-së për tubimin përmbyllës në “Skënderbe”

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e LVV-së lidhur me mbajtjen e tubimit politik në sheshin “Skënderbeu”. Kjo gjykatë ka vlerësuar se PDK-ja do ta mbajë tubimit përmbyllës të fushatës zgjedhore në sheshin “Skënderbeu”.
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.7/2026, të datës 22.05.2026.
“Ankesa kishte të bënte me refuzimin e kërkesës së subjektit politik LVV për mbajtjen e një tubimi politik në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të planifikuara të mbahen më 07 qershor 2026. Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV kishte pretenduar se PZAP ka zbatuar gabimisht nenin 4 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se vendimi i këtij institucioni është i mangët në arsyetim, duke theksuar se kërkesa e subjektit tjetër politik, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e datës 30.04.2026, nuk mund të krijonte përparësi procedurale, pasi në atë kohë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Prishtinë ende nuk ishte konstituar”, ka vlerësuar Gjykata Supreme.
Gjykata ka treguar se pse ankesa e VV-së nuk është e bazuar.
“Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe të gjitha shkresave të lëndës, Gjykata Supreme vlerësoi se ankesa është e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së është i drejtë, i ligjshëm dhe i mbështetur në dispozitat përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës dhe Deklarimin Financiar. Gjykata Supreme konstatoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me nenin 4 të Rregullores Nr. 07/2024, sipas të cilit KKZ mund të refuzojë kërkesën e një subjekti politik në rast se hapësira e kërkuar është rezervuar më parë nga një subjekt tjetër politik”, ka vlerësuar gjykata.
Sipas Supremes, shkresat e lendes tregojnë se PDK-ja ishte subjekti i parë që e ka rezervuar sheshin “Skënderbe”.
“Nga shkresat e lëndës rezulton se subjekti politik PDK kishte dorëzuar kërkesën për mbajtjen e tubimit politik në Sheshin “Skënderbeu” më 30.04.2026, ndërsa LVV kishte paraqitur kërkesën më 08.05.2026, për të njëjtën datë dhe lokacion. Gjykata vlerësoi se Rregullorja Nr. 07/2024 përcakton vetëm afatin e fundit për paraqitjen e njoftimeve për tubime politike dhe nuk parasheh kufizime lidhur me kohën e paraqitjes së kërkesave para funksionalizimit të KKZ-së”, ka theksuar gjykata, duke shtuar se pretendimet e VV-së janë të pabaza.
“Po ashtu, Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet e LVV-së lidhur me mungesën e arsyetimit të vendimit të PZAP-së janë të pabazuara, pasi PZAP kishte trajtuar në mënyrë të mjaftueshme çështjen e funksionalizimit të KKZ-së dhe kishte dhënë arsye të qarta juridike mbi bazën e dispozitave të zbatueshme. Si rrjedhim, Gjykata Supreme konstatoi se gjendja faktike është vërtetuar drejt, se nuk janë konstatuar shkelje procedurale apo zbatim i gabuar i ligjit dhe se pretendimet ankimore të subjektit politik LVV nuk janë mbështetur me prova relevante. Ndaj, ankesa u refuzua si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është lënë në fuqi”, ka konstatuar Gjykata Supreme.



