KosovaMed viziton HEBUmedical në Gjermani, diskutohen partneritete dhe inovacione në shëndetësi

Kompania  KosovaMed⁠ ka realizuar një vizitë zyrtare në kompaninë gjermane  HEBUmedical⁠ në Tuttlingen të Gjermanisë, një nga qendrat më të njohura evropiane të industrisë së pajisjeve dhe instrumenteve mjekësore, shkruan TandemPress.

Gjatë vizitës, ekipi i KosovaMed u prit nga Drejtori Gjeneral i HEBUmedical, Thomas Butsch, i cili prezantoi historinë e kompanisë, kapacitetet prodhuese, inovacionet dhe vizionin për zhvillimin e vazhdueshëm të teknologjisë mjekësore.

Nga KosovaMed u theksua se kjo vizitë është pjesë e përkushtimit të kompanisë për zhvillim profesional dhe avancim të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

“Vizita na mundësoi të njihemi nga afër me proceset moderne të prodhimit, standardet e larta të cilësisë dhe zgjidhjet inovative që HEBUmedical ofron për profesionistët shëndetësorë në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e KosovaMed.

Sipas kompanisë, gjatë takimeve janë diskutuar edhe mundësi të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimi të përvojave, me synimin për të sjellë teknologji më të avancuara dhe praktika moderne ndërkombëtare në shërbim të pacientëve dhe institucioneve shëndetësore në Kosovë.

“Në KosovaMed besojmë se zhvillimi i qëndrueshëm vjen përmes partneriteteve të forta, investimit në dije dhe njohjes së vazhdueshme me inovacionet që po transformojnë kujdesin shëndetësor në nivel global”, theksohet më tej.

Në fund, KosovaMed shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe bashkëpunimin e treguar nga kompania gjermane.

“Falënderojmë sinqerisht z. Thomas Butsch dhe të gjithë ekipin e HEBUmedical për mikpritjen e ngrohtë, profesionalizmin dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën dhe ekspertizën e tyre me ekipin tonë”, përfundon njoftimi./TandemPress/

Artikuj të tjerë

Back to top button