
Me rastin e muajit Tetor Rozë, KosovaMed Healthcare i është bashkuar fushatës globale për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin për kancerin e gjirit, duke theksuar rëndësinë e informimit, kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.
Nga KosovaMed Healthcare kanë bërë thirrje që gratë të jenë të vëmendshme ndaj ndryshimeve në trupin e tyre dhe të mos i shtyjnë kontrollet e rekomanduara mjekësore.
“Ndërgjegjësimi sot mund të bëjë diferencën nesër. Kanceri i gjirit mund të prekë gra të moshave të ndryshme, ndërsa zbulimi në faza të hershme rrit mundësitë për trajtim të suksesshëm”, thuhet në mesazhin e KosovaMed Healthcare.
Sipas tyre, gratë duhet të njohin pamjen dhe ndjesinë normale të gjinjve të tyre dhe t’i kushtojnë vëmendje çdo ndryshimi të pazakontë.
“Mos neglizhoni një gungë apo ndryshim të pazakontë në gji ose sqetull. Kushtojini vëmendje ndryshimeve në formë, madhësi, lëkurë apo thithkë dhe flisni me mjekun për çdo ndryshim që ju shqetëson”, thuhet më tej.
KosovaMed Healthcare thekson gjithashtu se kontrollet dhe depistimi duhet të ndiqen në përputhje me rekomandimet profesionale, moshën dhe faktorët individualë të rrezikut.
“Mos prisni dhimbjen për t’u kontrolluar. Kanceri i gjirit në fazat e hershme shpesh mund të mos shkaktojë simptoma të dukshme”, është mesazhi i tyre.
Në kuadër të Tetorit Rozë, KosovaMed Healthcare ka ftuar gratë që të kujdesen për shëndetin e tyre, të informohen dhe të mos i shtyjnë kontrollet e rekomanduara.
“Kontrollohu. Informohu. Kujdesu për veten. Sepse pas çdo fjongoje rozë qëndron një mesazh që duhet të dëgjohet gjatë gjithë vitit: zbulimi i hershëm ka rëndësi”, përfundon mesazhi i KosovaMed Healthcare./TandemPress/



