Pacolli: Janë konstatuar dëmtime serioze në materiale dhe pajisje në Aeroportin e Vlorës

Ish-presidenti i vendit, Behgjet Pacolli ka deklaruar se kompania Mabco është rikthyer në kantierin e Aeroportit të Vlorës pas pesë javësh, duke thënë se objekti i terminalit dhe godinat përcjellëse ishin sekuestruar në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme nga grupe që ai i cilëson kriminale.
Sipas tij, gjatë inspektimit janë konstatuar dëmtime të shumta materiale, akte vandalizmi dhe vjedhje të pajisjeve në objekt.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se Mabco, zotëron 98 për qind të aksioneve të shoqërisë VIA, është rikthyer për të vijuar dhe përfunduar punimet në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, vendimit të Gjykatës së Lartë, si dhe kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë.
“Sot pas 5 javësh nga sekuestrimi i paligjshëm dhe i dhunshëm i objektit të Terminalit dhe godinave përcjellëse, nga grupe të caktuara kriminale, që po tentojnë të përvetësojnë në mënyrë huliganeske dhë të kundërligjshme VIA-n – një shoqëri ku Mabco zotëron 98% të aksioneve – Mabco arriti të rikthehet në kantier për të vijuar dhe përfunduar punimet, në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, vendimit të Gjykatës së Lartë, si dhe kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë.”, ka shkruar Pacolli.
Sipas deklaratës së tij, gjendja e gjetur në objekt është “tronditëse, e dhimbshme dhe krejtësisht e papranueshme”.
Ai bën të ditur se një vepër e ndërtuar me vite pune, përkushtimi dhe investimesh të mëdha financiare është gjetur e dëmtuar rëndë, e keqpërdorur dhe e ekspozuar ndaj akteve të vandalizmit, huliganizmit dhe vjedhjes.
Pacolli deklaron se janë konstatuar dëmtime serioze në materiale dhe pajisje, përfshirë monitorët informues, dyert, dyert automatike, pllakat, panelet, sinjalistikën, kuadrot elektrike, gjeneratorët e energjisë dhe pajisje të tjera të rëndësisë kritike.
“Megjithatë, ajo që u konstatua gjatë inspektimit të objektit është tronditëse, e dhimbshme dhe krejtësisht e papranueshme. Një vepër e ndërtuar me vite pune, përkushtimi, sakrificash të panumërta dhe investimesh shumë të mëdha financiare është gjetur rëndë e dëmtuar, e keqpërdorur dhe e ekspozuar ndaj akteve të vandalizmit, huliganizmit dhe vjedhjes. Janë konstatuar dëmtime serioze në materiale dhe pajisje, përfshirë monitorët informues, dyert, dyert automatike, pllakat, panelet, sinjalistikën, kuadrot elektrike, gjeneratorët e energjisë dhe pajisje të tjera të rëndësisë kritike. Për më tepër, një numër veglash, pajisjesh dhe materialesh në pronësi të Mabco-s dhe nënkontraktorëve të saj rezultojnë të jenë zhdukur.”, ka shkruar mes të tjerash ai.
“Këto nuk janë thjesht dëme materiale. Këto janë akte të qëllimshme që përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mundit, punës së ndershme dhe përpjekjeve të qindra profesionistëve që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti strategjik. Çdo monitor i shkatërruar, çdo derë e dëmtuar dhe çdo pajisje e vjedhur përfaqëson jo vetëm një humbje financiare, por edhe një mungesë të thellë respekti ndaj punës, sakrificës dhe investimit të bërë ndër vite.
Huliganizmi nuk ka ndalur me kaq. Vandalizmi i qëllimshëm ndaj objektit ka shkaktuar pasoja të mëtejshme. Për shkak të temperaturave të larta, mungesës së qarkullimit të ajrit dhe mosfunksionimit të kushteve minimale teknike, janë dëmtuar sisteme mekanike, elektrike dhe grupet gjeneruese, duke rritur ndjeshëm kostot dhe kohën e nevojshme për rikuperimin e dëmeve.”, shtoi ai.
Ai shprehet se është e dhimbshme të shohësh një aset strategjik kombëtar të dëmtuar në këtë mënyrë dhe ngre dyshime se shkatërrimi i pronës mund të ketë pasur si qëllim jo vetëm ndalimin e punimeve, por edhe fshehjen e veprimeve dhe pasojave që, sipas tij, po dalin në dritë.
“Vandalizmi, vjedhja dhe shkatërrimi i pronës nuk dëmtojnë vetëm Mabco-n. Ato dëmtojnë interesin publik, zhvillimin ekonomik, besimin e investitorëve dhe të ardhmen e një projekti me rëndësi të veçantë kombëtare.”, tha mes të tjerash Pacolli.
Në fund të deklaratës, ai u bën thirrje organeve kompetente dhe SPAK-ut që të nisin hetime të thella dhe të pandikuara, duke kërkuar identifikimin e autorëve, organizatorëve dhe nxitësve të këtyre veprimeve.
Sipas tij, publiku meriton të dijë jo vetëm kush i ka kryer këto akte, por edhe shkaqet dhe arsyet e vërteta të vandalizmit të ushtruar për javë të tëra.
“Edhe një herë u bëjmë thirrje organeve kompetente dhe SPAK.ut që të fillojnë pa vonesë hetime të thella, serioze dhe të pandikuara nga askush. Autorët e këtyre veprimeve, organizatorët dhe nxitësit e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë ligjore për dëmet e shkaktuara. Publiku meriton të dijë jo vetëm kush i kreu këto akte, por edhe cili ishte SHKAKU dhe arsyeja e vërtetë e këtij vandalizmi të ushtruar për javë të tëra para syve të institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe ligjit.”, tha Pacolli.
Pacolli deklaron se Mabco do të vazhdojë punën pavarësisht pengesave dhe dëmtimeve, duke theksuar se Aeroporti i Vlorës do të përfundojë dhe do t’u shërbejë qytetarëve.
“Mabco nuk do të ndalet. Pavarësisht pengesave, dëmtimeve dhe përpjekjeve dashakeqe për të sabotuar, përvetësuar apo shkatërruar këtë investim, puna do të vazhdojë. Aeroporti do të përfundojë dhe do t’u shërbejë qytetarëve, sepse as vandalizmi, as hajnia, as presioni dhe as interesat e ngushta nuk mund të jenë më të forta se ligji, e drejta, vizioni dhe përkushtimi për ta çuar këtë projekt deri në fund.”, thuhet në postimin e Pacollit në Faecbook.



