KosovaMed Healthcare⁠ apelon për kujdes të shtuar gjatë valës së të nxehtit në Kosovë

Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit,  KosovaMed Healthcare⁠ ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj shëndetit dhe respektim të rekomandimeve bazë për mbrojtje nga nxehtësia.

Në reagimin e tyre publik, nga KosovaMed theksojnë se hidratimi i vazhdueshëm mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe.

“Konsumi i ujit është jetik. Rekomandohet të shmangen pijet me gaz, alkooli dhe kafeina, pasi ato përshpejtojnë dehidrimin”, thuhet në njoftimin e KosovaMed Healthcare.

Institucioni gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë orëve me temperatura më të larta të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të ajrosura mirë.

“Qëndrimi në ambiente të freskëta gjatë pikut të diellit, nga ora 10:00 deri në 17:00, ul rrezikun e goditjeve nga nxehtësia”, thekson KosovaMed.

Sipas rekomandimeve të publikuara, rëndësi të veçantë ka edhe mënyra e veshjes gjatë ditëve të nxehta.

“Rrobat e lehta, me ngjyra të çelura dhe prej pambuku, ndihmojnë trupin të rregullojë temperaturën më lehtë.”

Në fokus të veçantë janë vendosur grupet më të ndjeshme të shoqërisë, përfshirë të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

“Të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike duhet të monitorojnë rregullisht gjendjen e tyre shëndetësore dhe të ndjekin me përpikëri këshillat e profesionistëve shëndetësorë”, thuhet më tej në apel.

KosovaMed Healthcare u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal për veten dhe familjarët gjatë kësaj vale të të nxehtit.

Artikuj të tjerë

Back to top button