Bllokohet rruga magjistrale Ferizaj–Gjilan në Dardani pas reshjeve të dendura, policia orienton trafikun

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar bllokimin e plotë të qarkullimit në rrugën magjistrale Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se, për shkak të sasisë së madhe të ujit të grumbulluar pas reshjeve në fshatrat Dardani, Ramjan dhe Zllatar, kjo rrugë është e pakalueshme për automjete deri në një njoftim tjetër.

Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të përdorin rrugët alternative. Nga drejtimi Ferizaj–Gjilan, shoferët duhet të kalojnë përmes rrugës së fshatit Zllatar, ndërsa ata që udhëtojnë nga Gjilani në drejtim të Ferizajt duhet të shfrytëzojnë aksin Dardani–Zllatar, përkatësisht rrugën pranë kompanisë “Metali i Ri”.

Sipas njoftimit, njësitet policore ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po bëjnë orientimin e trafikut, ndërsa qytetarëve u është kërkuar mirëkuptim deri në normalizimin e situatës.

Artikuj të tjerë

Back to top button