KPK nominon Zejnullah Gashin për Kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka nominuar me pesë vota pro Zejnullah Gashin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Ekonomia Online.
Pas procesit të votimit në mbledhjen e KPK-së, kandidati Zejnullah Gashi mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit, duke u propozuar për dekretim te Presidentja e Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, para fillimit të votimit kishte prezantuar raportin final të Komisionit për vlerësimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas raportit final, kandidati Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ishte renditur i pari me 91.6 pikë.
Pas tij ishin renditur:
* Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me 89.3 pikë;
* Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me 89 pikë;
* Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me 87 pikë;
* Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, me 86.3 pikë.
Emri i Zejnullah Gashit tashmë do t’i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për dekretim si Kryeprokuror i Shtetit.



