Prokuroria zbardh skemën e dyshuar të mashtrimit me parcelën milionëshe në Sllatinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me rastin ku tre persona dyshohen për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, përmes tentativës për tjetërsimin e një parcele në Sllatinë të Fushë Kosovës.
Sipas informacioneve të Prokurorisë, tre të dyshuarit me inicialet M.T, L.Sh, dhe M.R, janë ndaluar në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas veprimeve intensive hetimore.
Prokuroria ka bërë të ditur se dyshohet që të dyshuarit kanë përdorur dokumente të falsifikuara të Republikës së Serbisë, përfshirë pasaportë, letërnjoftim dhe certifikata të gjendjes civile, për të krijuar identitet të rremë dhe për t’u paraqitur si pronarë legjitimë të një prone në fshatin Sllatinë të Komunës së Fushë Kosovës.
“Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare të hetimeve, të dyshuarit me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara të Republikës së Serbisë, përfshirë pasaportë, letërnjoftim dhe certifikata të gjendjes civile, kanë krijuar në mënyrë të kundërligjshme identitet të rremë dhe janë paraqitur si pronarë legjitimë të një prone të paluajtshme”, thuhet nga Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se përmes këtyre dokumenteve kanë arritur të realizojnë shitjen e një parcele me sipërfaqe prej dy hektarësh, duke i shkaktuar pronarit të vërtetë dëm material në vlerë prej 1 milion e 550 mijë eurosh.
“Përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara dhe paraqitjes së identitetit të rremë, kanë realizuar shitjen e një parcele në sipërfaqe prej dy hektarësh, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë 1.550.000 euro”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Tre personat dyshohen për veprat penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Falsifikimi i dokumentit”, sipas nenit 390, si dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas nenit 395.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, pritet t’i paraqesë Gjykatës kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.


