Festat me armë në ahengje, për një ditë prangosen katër persona

Katër persona janë arrestuar ndërsa një tjetër është shoqëruar në polici gjatë ditës së diel, pas të shtënave me armë zjarri në ahengje familjare në rajonet e Mitrovicës, Skenderajt dhe Prishtinës.

Rasti i parë është raportuar në fshatin Mramor të Prishtinës, rreth orës 13:09, policia arrestoi një person tjetër i cili kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Nga ai u sekuestrua një pistoletë me leje, fishekë dhe disa gëzhoja. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, rasti tjetër është raportuar në fshatin Frashër të Mitrovicës së Jugut, rreth orës 13:40, ku një i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor pasi kishte shtënë me një pistoletë me gaz. Policia ka sekuestruar armën, dy fishekë dhe pesë gëzhoja. Me vendim të prokurorit, ai është liruar, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Në mbrëmje, rreth orës 20:26, një tjetër person është arrestuar në fshatin Rekë të Mitrovicës së Jugut, pasi kishte shtënë me armë në një aheng familjar. I dyshuari dorëzoi një pistoletë me gaz dhe një fishek. Edhe në këtë rast, prokurori vendosi që ai të lirohet në procedurë të rregullt.

Dy raste të tjera janë regjistruar në të njëjtën kohë, rreth orës 21:00, në fshatin Kozhicë të Skenderajt. Dy persona të ndryshëm u arrestuan pasi kishin shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Njëri dorëzoi një pistoletë me gaz të markës Zoraki, ndërsa tjetri një pistoletë me gaz të markës BLOË me katër fishekë me gaz. Të dy u liruan me vendim të prokurorit dhe rastet do të procedohen në mënyrë të rregullt.

Artikuj të tjerë

Back to top button