EKSKLUZIVE/ Skandal me projektin e lapidarit në Suharekë, aktakuzë për 5 mijë eurot e keqpërdorura

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Beqir Berishës, ish-drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, dhe Abedin Maliqaj, person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., nën dyshimin për keqpërdorime në realizimin e projektit “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, raporton TandemPress.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ish-drejtori në Suharekë, gjatë mandatit të Muharremajt, akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Abedin Maliqaj për “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.

Aktakuza pretendon se ish-drejtori Berisha, në cilësinë e menaxherit të kontratës gjatë periudhës 23 shtator 2019 deri më 20 dhjetor 2021, ka vepruar me qëllim që t’i mundësohet përfitimi operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K.

Prokuroria vlerëson se me këto veprime Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material prej 5 mijë eurosh.

Aktakuza thotë se Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, ka shfrytëzuar detyrën e tij, me dashje duke tejkaluar kompetencat e tij.

Ai akuzohet se krejt veprimet i ka bërë me qëllim që t’i mundësojë përfitim operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K.

“Në kuadër të kontratës në vlerë të përgjithshme prej 28,650.00 euro, për realizimin e projektit të lartëcekur, ka nënshkruar pagesën në vlerë prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, duke konstatuar se punimet ishin realizuar sipas paramasës dhe parallogarisë, ndonëse në terren ato nuk ishin kryer në përputhje me kontratën dhe nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për kolaudim apo për ndryshim të punimeve. Me këto veprime, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material në shumën prej 5,000 euro, dëm i cili është vërtetuar edhe me ekspertizën e ndërtimtarisë.” – thuhet në dosje. 

Ndërkaq, i akuzuari tjetër tjeter në cilësinë e personit përgjegjës të operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., me dashje, nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata e prokurimit publik për realizimin e projektit.

“…Ai ka pranuar pagesën në shumën prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, ndonëse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm material.” 

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartëcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.//TandemPress.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Artikuj të tjerë

Back to top button