Fundjavë e “nxehtë” temperaturat maksimale priten të shkojnë 36 gradë

Kosovën e pret një fundjavë me mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta, të cilat në disa zona do të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.

Sipas parashikimit të motit, të shtunën do të mbajë mot i nxehtë dhe kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 31 deri në 36 gradë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja dhe veriperëndimi.

Edhe dita e diel do të karakterizohet nga mot me diell dhe shumë i nxehtë. Temperaturat minimale do të mbeten ndërmjet 11 dhe 16 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 32 deri në 36 gradë Celsius.

Meteorologët kanë bërë të ditur se indeksi UV do të jetë i lartë gjatë të dyja ditëve, ndaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 17:00, si dhe përdorimi i mjeteve mbrojtëse dhe konsumimi i mjaftueshëm i ujit.

Po ashtu, kushtet biometeorologjike pritet të jenë relativisht të pafavorshme gjatë orëve më të nxehta të ditës. Temperaturat e larta mund të shkaktojnë lodhje dhe dehidrim, sidomos te personat me sëmundje kronike, fëmijët dhe të moshuarit, të cilëve u rekomandohet të shmangin aktivitetet fizike në ambiente të hapura gjatë mesditës.

Sa i përket sektorit të bujqësisë, moti me diell do të favorizojë pjekjen dhe vjeljen e kulturave bujqësore, por temperaturat e larta do të rrisin humbjen e lagështisë nga toka. Për këtë arsye, rekomandohet ujitja e rregullt e kulturave, veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit ose në mbrëmje

Artikuj të tjerë

Back to top button