
Dy mospërputhje dalin në pah mes njoftimit të QKMF-së në Klinë dhe deklarimeve të Policisë së Kosovës dhe Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, lidhur me vdekjen e 43-vjeçares Albona Morina.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, QKMF-ja në Klinë ka bërë të ditur se ishin angazhuar zyrtarët policorë për të përshpejtuar transportin e pacientes drejt Spitalit të Pejës, për shkak të ngarkesës në trafik.
Megjithatë, në këtë njoftim nuk përmendet arsyeja tjetër e asistencës policore: mosfunksionimi i pajisjeve të sinjalizimit emergjent të autoambulancës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar se patrulla policore e kishte shoqëruar autoambulancën me kërkesë të stafit të QKMF-së, pasi pajisjet e sinjalizimit emergjent nuk funksiononin.
“Atë që mund të ju konfirmojmë aktualisht lidhur me këtë çështje është se, me kërkesë të stafit të QKMF-së në Klinë, një patrullë policore e ka shoqëruar autoambulancën deri në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Kjo asistencë është kërkuar për shkak se, në atë moment, sipas tyre, autoambulanca nuk i kishte funksionale pajisjet e sinjalizimit emergjent”, ka deklaruar Elezaj.
Mospërputhja e dytë lidhet me gjendjen e pacientes gjatë transportit dhe në momentin e mbërritjes në spital.
Në raportin e QKMF-së thuhet se gjatë gjithë rrugës drejt Spitalit të Pejës është kryer reanimimi kardiopulmonar, ndërsa pas mbërritjes në spital pacientja është intubuar.
Megjithatë, në këtë raport nuk sqarohet nëse pacientja ka ndërruar jetë gjatë transportit me autoambulancë dhe në çfarë gjendjeje është dorëzuar në spital.
Në anën tjetër, në njoftimin zyrtar të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë thuhet se 43-vjeçarja nga Klina është pranuar në Emergjencë rreth orës 14:20, pa shenja jete.
Spitali ka bërë të ditur se, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor dhe reanimimit të ndërmarrë, nuk është arritur rikthimi i shenjave vitale.
Këto dy versione ngrenë pikëpyetje serioze për mënyrën e transportit, gjendjen e pacientes gjatë rrugës dhe momentin e mbërritjes në Spitalin e Pejës.
Deri më tani, këto mospërputhje kërkojnë sqarim nga institucionet shëndetësore dhe organet kompetente.



