Reagon Ndërmarrja “Prishtina Parking”, biçikletat e shërbimit publik u dëmtuan nga erërat e forta

Disa nga biçikletat e shërbimit publik “Prishtina Bikes” janë rrëzuar në stacionet e tyre si pasojë e erërave të forta gjatë natës së kaluar.Për këtë situatë kanë reaguar gjatë ditës qytetarë të Prishtinës në rrjete sociale, duke publikuar pamje të biçikletave të dëmtuara. Ndërkohë, disa asamblistë të opozitës në kryeqytet kanë shpërndarë fotografi të dëmtimeve, duke kritikuar qeverisjen lokale për gjendjen e tyre.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe ndërmarrja “Prishtina Parking”, e cila përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ekipet e “Prishtina Bikes” kanë dalë në terren për të kontrolluar dhe sistemuar biçikletat.

Sipas njoftimit, pas konstatimit të situatës, ekipet janë mobilizuar menjëherë dhe i kanë rikthyer biçikletat në stacionet përkatëse.“Ne mbetemi të përkushtuar në mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e vazhdueshëm të këtij shërbimi, duke siguruar që biçikletat të jenë të gatshme dhe të qasshme për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e lëshuar, më 14.11.2026

Artikuj të tjerë

Back to top button