
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në Shqipëri kanë ndëshkuar me gjobë një pronar mjeti lundrues në Dhërmi, pasi kishte lejuar një 12-vjeçar të drejtonte një “Jet Ski”.
Gjatë kontrolleve për garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirat detare, shërbimet e Policisë konstatuan përballë plazhit të Dhërmiut një mjet lundrues tip “Jet Ski”, që drejtohej nga një i mitur 12-vjeçar.
Pas ndalimit të mjetit dhe verifikimeve të kryera, rezultoi se drejtuesi ishte i mitur, ndërsa “Jet Ski” nuk kishte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.
Për këto shkelje, pronari i mjetit, M.Xh., u dënua me para, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
“Policia Kufitare u bën apel qytetarëve dhe subjekteve që japin me qira mjete lundruese të mos ua besojnë ato të miturve ose personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre, pasi kjo përbën rrezik për jetën e tyre dhe për sigurinë e pushuesve”//abcnews.al


