
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se gjatë veprimeve hetimore që po zhvillohen në Zubin Potok është identifikuar një lokacion i dyshuar, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Sipas komunikatës së përbashkët, sot, më 2 gusht, ekipet në terren kanë lokalizuar vendin e dyshuar, ndërsa në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, Prokuroria Speciale do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme.
Pas marrjes së autorizimeve përkatëse nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me identitetin e mundshëm të viktimave apo afatin e nisjes së procedurave të zhvarrimit, ndërsa hetimet janë në vazhdim



