Vetëm në javën e fundit, u regjistruan 21 raste të reja me fruth

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se, gjatë periudhës 16 prill – 3 gusht 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 99 raste të konfirmuara me fruth. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja.

Sipas shpërndarjes sipas komunave, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 33 raste, pasuar nga Fushë-Kosova me 25 raste, Ferizaj me 12 raste dhe Kaçaniku me 7 raste. Nga tri (3) raste janë raportuar në Drenas, Lipjan dhe Obiliq, ndërsa nga dy (2) raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime dhe Vushtrri. Nga një (1) rast është raportuar në Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (gusht 2025) me 65 raste, këtë vit është vërejtur rritje e numrit të rasteve të konfirmuara me fruth. Ndërsa në periudhën 2021–2024 janë regjistruar gjithsej vetëm tre (3) raste me fruth, të cilat kanë qenë raste të importuara.

IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Artikuj të tjerë

Back to top button