Në seancën e sotme të Kuvendit u kërkua hetim për vdekjen e pacientës e cila dyshohet se vdiq nga mungesa e terapisë në Onkologji

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka kërkuar që sigurimi i barnave esenciale dhe trajtimi i pacientëve me kancer të jenë prioritete reale në buxhetin e Kosovës.

Duke folur në Kuvend, ku ka kërkuar interpelancë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ajo ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave onkologjike dhe rastin e pacientes me kancer, e cila mbeti katër muaj pa marrë terapinë e nevojshme para se të vdiste.

“Duam të dërgojmë një mesazh të qartë: shëndetësia, trajtimi i pacientëve me kancer, sigurimi i barnave esenciale dhe përmirësimi i kushteve shëndetësore duhet të jenë prioritete reale buxhetore e jo vetëm premtime në letër”.

Jashari tha se Kushtetuta mbron dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për jetë, ndërsa Ligji për Shëndetësi përcakton përgjegjësitë e institucioneve për organizimin dhe funksionimin e sistemit shëndetësor.

“Sot po flas për jetën, dinjitetin dhe shpresën e mijëra qytetarëve që po përballen me sëmundjen e rëndë të kancerit”, ka thënë ajo.

Jashari ka shtuar se familjes së pacientes që humbi jetën i detyrohen një përgjigje, ndërsa pacientëve që aktualisht janë në trajtim, sigurinë se nuk do të përballen me të njëjtën situatë. 

Artikuj të tjerë

Back to top button