
Një 33-vjeçar nga Kosova është bërë subjekt i hetimeve nga policia gjermane, pas një konflikti të ashpër ku përfundoi duke kërcënuar me vdekje një 22-vjeçare në qytetin e Erdingut
Ngjarja e rëndë u regjistrua të enjten në mbrëmje, rreth orës 21:30, në një stacion autobusi përballë restorantit “Gruberei.
Sipas autoriteteve, mes të riut kosovar dhe 22-vjeçares vendase shpërtheu një grindje e ashpër verbale, e cila kulmoi me kërcënime me jetë nga ana e 33-vjeçarit, shkruan TandemPress.
Sipas të dhënave të para nga policia, konflikti nuk ishte i rastësishëm. Zanafilla e kësaj përplasjeje dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e mbartur nga vendi i tyre i përbashkët i punës, e cila më pas ka degraduar në ambiente publike.
Viktima ka deklaruar në polici se gjatë momentit të incidentit, në ambientet e jashtme të lokalit kishte disa grupe njerëzish që me shumë mundësi kanë parë dhe dëgjuar gjithçka. Për këtë arsye, Stacioni i Policisë në Erding ka bërë thirrje publike për dëshmitarët që të paraqiten për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.



