
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj gjuhës fyese dhe përçmuese të përdorur ndaj prodhuesve vendorë, të cilët protestuan për problemet me të cilat përballen dhe kërkuan funksionalizimin e institucioneve të vendit.
AKB e konsideron të papranueshme që prodhuesit vendorë të etiketohen politikisht si “prodhues të Zajednicës”, “prodhues të së keqes” apo “prodhues të KEQ”.
“Prodhuesit nuk janë prodhues të së keqes. Ata janë prodhues të vendeve të punës, pagave, tatimeve, investimeve dhe mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, protestat dhe kërkesat e prodhuesve duhet të trajtohen si shqetësime ekonomike dhe jo të shndërrohen në përplasje politike.
“Prodhuesi ka të drejtë të protestojë, të kërkojë institucione funksionale dhe të kritikojë çdo qeveri, pa u sulmuar politikisht”, thekson AKB.
AKB u ka bërë thirrje partive politike që të ndalojnë etiketimin e bizneseve dhe prodhuesve vendorë, duke kërkuar që ata të mos ndahen në baza politike.
“Mos i ndani prodhuesit në ‘tanët’ dhe ‘të tyre’. Prodhuesit janë të Kosovës dhe interesat e tyre janë interesat e ekonomisë së Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, AKB ka paralajmëruar se do të vazhdojë t’i mbrojë prodhuesit vendorë ndaj çdo gjuhe denigruese, pavarësisht se nga cila parti politike vjen ajo.
“AKB do t’i mbrojë me vendosmëri prodhuesit vendorë ndaj çdo gjuhe denigruese, pavarësisht se nga cila parti politike vjen ajo.”



