
Aleanca ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, për siç thonë ata lidhur me vendimet antikushtetuese të Qeverisë në detyrë.
Deputeti i kësaj partie Besnik Tahiri ka bërë të ditur se Aleanca ka deponuar kallëzimin penal ndaj Qeverisë në detyrë, respektivisht kryeministrit në detyrë, lidhur me vendimet e marra më 12 gusht.
Sot, Aleanca ka deponuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç edhe e ka paralajmëruar në tri konferenca rresht me radhë, një kallëzim penal për Qeverinë në detyrë, respektivisht kryeministrin në detyrë, për shkak se në datën 12 gusht të këtij viti, ata kanë marrë disa vendime të cilat në vlerësimin tonë dhe të juristëve që e përfaqësojnë këtë lëndë, janë vendime që bien ndesh me ligjin dhe me të gjitha rregulloret që i ka një qeveri”, tha Tahiri.
Ai tha se Qeveria në detyrë nuk është qeveri e votuar dhe se, sipas tij, ligji e ndalon marrjen e vendimeve që lidhen me 17 vendime të miratuara në mbledhjen e Qeverisë.
“Qeveria në detyrë quhet qeveri në detyrë për shkak se nuk është qeveri e votuar. Ajo e ka të ndaluar me ligjin për qeveri me marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime të cilat janë marrë në mbledhjen e qeverisë për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjenci ekzekutive, në agjencione qeveritare, mirëpo në një rast edhe për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm”, tha ai.
Tahiri theksoi se Qeveria në detyrë, sipas tij, nuk guxon të shkelë Ligjin për Qeverinë dhe se kompetencat e saj janë të kufizuara.
“Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar, ligjin për qeveri, në ligj të cilin kemi punuar edhe ne me ta. Për shkak se është ekskluzivisht e thënë qartë se kjo qeveri i ka kompetencat dhe detyrimet e kufizuara dhe rrjedhimisht me marrjen e këtyre vendimeve e kanë shkelur detyrën zyrtare dhe pozitën e tyre si ushtrues të detyrës”, tha Tahiri.
“Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet. Adresa e vetme e jona, e Aleancës, e qytetarëve të Kosovës janë institucionet, respektivisht organet e ligjit, Prokuroria dhe Gjykata. Presim që këto institucione të përgjigjen ndaj kërkesës sonë”, përfundoi Tahiri.



