Kryetari i Prishtinës: Dështoi granti gjerman për “Pastrimin”, kritikon Hekuran Muratin që nuk e nënshkroi marrëveshjen

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka dështuar granti i Qeverisë gjermane për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”.

Sipas Ramës, projekti dështoi pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, nuk e nënshkroi marrëveshjen e financimit.

“Atë që po e them tash e sa kohë, sot fatkeqësisht po e konfirmojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. KfW-ja ka njoftuar se granti për ‘Pastrimin’ dështoi sepse Ministria e Financave nuk e nënshkroi marrëveshjen e financimit. Kaq!”, shkroi Rama në Facebook.

Ai e kritikoi Muratin për mosnënshkrimin e marrëveshjes, duke thënë se projekti ishte i domosdoshëm për kryeqytetin.

“E kemi ndihmën e Qeverisë gjermane. E kemi partnerin. E kemi projektin. E kemi nevojën urgjente. Por Hekuran Murati nuk e nënshkruan”, deklaroi Rama.

Kryetari i Prishtinës tha se qytetarët nuk mund të vazhdojnë ta paguajnë çmimin e, siç i quajti ai, bllokadave të Qeverisë.

Rama njoftoi se Komuna ka vendosur ta krijojë Ndërmarrjen Komunale të Pastrimit, me synimin që problemi i mbeturinave të zgjidhet përmes kompetencave të kryeqytetit.

Sipas tij, ky vendim do të trajtohet me urgjencë në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Artikuj të tjerë

Back to top button