Një 29 vjeçare humb jetën në Leposaviq dyshohet se kishte probleme psiqike dhe po mjekohej me medikamente, mjeku përfundon nën hetim për “moslajmërim të rastit”

Një grua e lindur në vitin 1997 është gjetur pa shenja jete në rrugën “Dositej Obradoviq” në Leposaviq, ndërsa rasti po hetohet si vdekje e dyshimtë.

Policia njofton se më 9 shtator, rreth orës 10:50, përmes rrugëve operative ka pranuar informacion për rastin. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar me familjarët e viktimës, të cilët kanë deklaruar se e kishin gjetur atë pa shenja jete rreth orës 07:00.

Mjeku kujdestar kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe kishte konstatuar vdekjen, mirëpo Policia nuk ishte njoftuar nga stafi mjekësor.

Gjatë hetimeve, policia ka pranuar informacione se viktima kishte pasur probleme psikike dhe kishte përdorur medikamente kundër depresionit.

Lidhur me rrethanat e rastit dhe mosnjoftimin e Policisë, është intervistuar si i dyshuar mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Leposaviq, nën dyshimin për veprën penale “Moslajmërim i veprës penale”.

Mjeku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut dhe rrethanave të vdekjes.

Artikuj të tjerë

Back to top button