
Pronari i kompanisë “Delta Group”, Vesel Jusaj, është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 24 mijë euro gjobë.// shkruan TandemPress.
Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim lidhur me rastin e vdekjes së 40-vjeçarit Visar Muriqi, i cili humbi jetën në tetor të vitit 2024 pas shpërthimit të një bombole gazi në hapësirat e kompanisë “Delta Group”.
“Delta Group” figuron në ARBK si pronë e vëllezërve Vesel dhe Shkëlqim Jusaj.
Si ndodhi rasti ku humbi jetën punëtori në tetor të vitit 2024?
Rasti kishte ndodhur më 11 tetor 2024 në Pejë, kur një bombol gazi shpërtheu në hapësirat e pompës së derivateve “Delta Group”, duke i shkaktuar vdekjen 40-vjeçarit Visar Muriqi.
Si pasojë e shpërthimit, viktima ishte goditur nga vala shpërthyese dhe kishte pësuar lëndime të rënda, duke gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes.
Kur nisën hetimet nga Prokuroria?
Sipas aktakuzës së ngritur më 17 janar 2025, Vesel Jusaj akuzohet për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”. Ai akuzohet se më 11 tetor 2024, në kompaninë “Delta Group”, si drejtor përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk ka siguruar masa të mjaftueshme sigurie, duke shkaktuar shpërthimin e gazit dhe vdekjen e një punëtori. Po ashtu, ai akuzohet se më 14 dhjetor 2022, ka hequr bllombën zyrtare nga rezervuari i gazit, duke shkelur rregullat për sigurinë dhe shitjen e gazit. Për këto vepra penale, akuzohet gjithashtu edhe kompania “Delta Group” si person juridik.
Në seancat fillestare, i akuzuari Vesel Jusaj është përfaqësuar nga avokati Gëzim Kollçaku, ndërsa “Delta Group” si person juridik është e përfaqësuar nga Vase Jusaj. Ndryshe, sipas procesverbalit, Vesel Jusaj ka qenë nën masën e paraburgimit nga 23 tetori 2024 deri më 30 tetor 2024 dhe nga kjo datë në arrest shtëpiak deri më 22 janar 2025.
Prokuroria ndër tjerash thotë se Jusaj kishte tentuar të ndikonte te stafi i punëtorëve për ndryshimin e dëshmive
Sipas Prokurorisë, një dëshmitar kishte deklaruar se Jusaj kishte tentuar të ndikonte te punëtorët e tjerë për ndryshimin e dëshmive.
Çka konstatoi Inspektorati i Punës pas ngjarjes?
Inspektorati i Punës, në raportin 23 tetorit 2024, e ka gjetur përgjegjës pronarin e Kompanisë “Delta Group”, Vesel Jusaj, për shpërthimin e cisternës në Pejë, ku si pasojë e kësaj më 11 tetor 2024 humbi jetën tashmë i ndjeri Visar Muriqi.
“Andaj, sipas Inspektoratit, Jusaj ka qenë përgjegjës të miratojë fazën e kërkimit, projektimit dhe hartimit të planit për përdorimin e pajisjeve të punës, të përpilojë një dokument vlerësimi dhe parandalimi të rrezikut që përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjieniko-sanitar, që të zbatohen sipas veprimtarisë përkatëse.
Jusaj, ishte gjetur përgjegjës kryesor për shkeljen e dispozitave të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë pasi nuk ka punësuar një apo më shumë persona të certifikuar në profile profesionale për sigurinë në punë, si dhe nuk ka hartuar një plan të veprimit.
Kundër këtij aktgjykimi, shkruhet se palët kanë te drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.



