
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas Gjinit Gjykata Kushtetuese konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar.
Më tutje Gjini thotë se tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm, Albin Kurti.
Postimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar.
Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë. E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë. Edhe këtë Aleanca e ka spikatur panumër herë.
Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti.
Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste.
Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme.
Populli i Kosovës e ka të qartë çdo lojë politike për interesa të ngushta partiake të cilitdo akter, dhe po ashtu e ka të qartë se kush ofron zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët.



