Kurti kujton Afrim Bunjakun: S’do heqim dorë, të gjithë do marrin dënimin e merituar

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar sot rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Përmes një postimi me rastin e përvjetorit të ngjarjes, Kurti ka thënë se Bunjaku ra në krye të detyrës, duke e cilësuar atë si “hero të Kosovës”.

“Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhënjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri e ka cilësuar grupin e armatosur që kreu sulmin në Banjskë si të organizuar, drejtuar dhe financuar nga Beogradi, ndërsa ka përmendur Milan Radoiçiqin si personin që, sipas tij, i printe këtij grupi.

Kurti ka deklaruar se qëllimi i sulmit ishte konflikti i armatosur dhe gjakderdhja në territorin e Kosovës, si dhe aneksimi i veriut të vendit.

“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe institucioneve të tjera shtetërore për përballimin e sulmit.

Në lidhje me përgjegjësit e sulmit, Kurti ka thënë se tre persona janë vrarë gjatë aksionit, ndërsa tre të tjerë ndodhen në burg që nga ajo ditë. Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimin e personave të tjerë të përfshirë.

“Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”.

Ai shtoi se në Banjskë, rruga në vendin ku ndodhi sulmi mban sot emrin e Afrim Bunjakut.

“Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”, ka shkruar Kurti.

Artikuj të tjerë

Back to top button