Operacioni “Shqiponja” në Isniq të Deçanit: Policia sekuestron parcelë bimësh kanabisi dhe substanca narkotike

Një aksion policor kundër kultivimit dhe përpunimit të narkotikëve është zhvilluar mëngjesin e 28 shtatorit në fshatin Isniq të Deçanit.
Operacioni, i koduar “Shqiponja”, është realizuar nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, pas informacioneve operative lidhur me dyshimet për kultivim të kanabisit në një pronë private.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, pas koordinimit me Prokurorin e Shtetit dhe pajisjes me urdhër të gjykatës, policia ka kryer bastisje në pronën ku dyshohej se kultivoheshin bimët narkotike.

Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur shtatë bimë të dyshuara të llojit Cannabis Sativa. Bimët ishin kultivuar në sera të improvizuara dhe kishin gjatësi prej rreth 100 deri në 180 centimetra.

Përveç bimëve, gjatë bastisjes janë sekuestruar edhe rreth 28 gramë substancë e dyshuar si marihuanë, një cigare e përgatitur me substancë narkotike, si dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe përpunimin e saj.

Në mesin e sendeve të sekuestruara janë një mulli, një peshore elektronike, filtra, letra mbështjellëse dhe dy telefona celularë.

Operacioni është zhvilluar në pronën e personave të dyshuar S.O, dhe E.O, ndërsa në aksion kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera policore.

Në operacion kanë asistuar Njësia e Reagimit të Shpejtë, njësia rajonale e krim-teknikës, si dhe zyrtarë nga stacionet policore në Deçan dhe Junik.

Rasti mbetet nën hetim nga organet kompetente.

Artikuj të tjerë

Back to top button