Sekuestrohen gjashtë ekskavatorë në Prizren, Pejë dhe Rahovec për eksploatim të kundërligjshëm të zhavorrit

Inspektorati i Mjedisit ka zhvilluar një aksion përgjatë zonës së lumit Drini i Bardhë, ku ka identifikuar operatorë ekonomikë që po kryenin eksploatim të kundërligjshëm të zhavorrit.

Gjatë aksionit janë sekuestruar gjashtë ekskavatorë në Prizren, Pejë dhe Rahovec.

Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në të gjitha mjetet janë vendosur shiritat zyrtarë të ndalimit të punimeve.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila ka theksuar se çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet.

“Lumenjtë tanë nuk janë pronë e askujt për t’i shfrytëzuar kundërligjshëm. Çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet dhe çdo veprim që dëmton pasuritë tona natyrore do të përballet me ligjin”, ka shkruar Pacolli.

Artikuj të tjerë

Back to top button