
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në mbledhjen e Qeverisë për takimet që zhvilloi me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, si dhe për deklaratën e miratuar në Kuvend me 99 vota për lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se takimet me Hamzën dhe Abdixhikun kishin për qëllim diskutimin e veprimeve të përbashkëta në raport me aktgjykimin e 16 shtatorit, të cilin ai e cilësoi si “të padrejtë dhe të rëndë”, por edhe për sfidat institucionale, politike dhe shtetërore që e presin Kosovën.
“Të diellën kam zhvilluar takime të ndara me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës përkatësisht me zotërinjtë Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku për të diskutuar lidhur me veprimet e përbashkëta në raport me aktgjykimin e padrejtë dhe të rëndë të 16 shtatorit, por edhe për sfidat të cilat na presin përpara në aspektin institucional, politik e shtetëror.”
Kryeministri e ka vlerësuar si hap të parë të përbashkët deklaratën e miratuar në Kuvendin e Kosovës me 99 vota për.
Sipas tij, përtej efektit juridik, kjo deklaratë përfaqëson vullnetin e shprehur të qytetarëve përmes përfaqësuesve të tyre.
“Deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Republikës është hapi i parë i përbashkët që më shumë se sa që krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Andaj mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar teksa thërras në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse sikurse edhe me ekspertë të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoreshin si rëndesë ose dëm në… dëm pra të kësaj të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi.”
Kurti tha se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për të bërë gjithçka që është në mundësinë e saj për të kundërshtuar aktgjykimin, duke e lidhur këtë angazhim me procesin e apelit.
Ai theksoi gjithashtu rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se ajo ishte përgjigje ndaj represionit dhe dhunës së ushtruar nga Serbia.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës do të bëjmë gjithçka që dimë e mundemi bashkë me kolegët nga qeveria dhe jo vetëm për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli e e drejta e tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë të popullit“, shtoi ai.


