
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren ka nisur kontrollet e qarkullimit edhe përmes dronëve policorë, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e shoferëve që rrezikojnë sigurinë në komunikacion.
Policia ka bërë të ditur se përdorimi i dronëve është pjesë e planit operativ “Tejkalimet e palejuara, shpejtësia dhe telefoni”, i cili synon parandalimin dhe uljen e aksidenteve me lëndime të rënda, veçanërisht atyre me fatalitet.
Në kuadër të këtij plani janë shtuar edhe pikat e kontrollit, ndërsa në zonat me rrezikshmëri më të lartë, dronët përdoren për monitorimin e tejkalimeve në vijë të plotë dhe kolonave të automjeteve.
“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin sjelljet e rrezikshme dhe të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në rrugë”, thuhet në njoftimin në Facebook.



