
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Kosova ka shënuar rritje të ndjeshme të investimeve të huaja dhe ka ndërmarrë hapa për përmirësimin e klimës së biznesit, por ekonomia informale, pasiguria energjetike dhe problemet në funksionimin e institucioneve vazhdojnë ta kufizojnë rritjen ekonomike.
Në Raportin për Klimën e Investimeve për vitin 2026, të publikuar në shtator, DASH thotë se Kosova tërheq investitorët për shkak të popullsisë së re dhe shumëgjuhëshe, kostos relativisht të ulët të fuqisë punëtore, afërsisë me tregun e Bashkimit Evropian dhe burimeve natyrore. Raporti vlerëson se ligjet e Kosovës janë përgjithësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve, por zbatimi i tyre mbetet i dobët.
Një nga zhvillimet kryesore ekonomike është rritja e investimeve të huaja direkte. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës të cituara nga DASH, investimet e huaja neto arritën në 1.096 miliardë euro gjatë vitit 2025, nga 850 milionë euro një vit më parë. Pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e qiradhënies morën pjesën më të madhe, të ndjekura nga shërbimet financiare dhe energjia. DASH përmend edhe disa zhvillime që i konsideron pozitive për klimën e biznesit. Në gusht të vitit 2025, Kosova hoqi tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat me origjinë preferenciale nga Shtetet e Bashkuara. Po atë vit, Kosova u pranua në federatën GS1 dhe fitoi prefiksin e saj ndërkombëtar për barkode, ndërsa në korrik 2025 Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e hoqën Kosovën nga lista e shteteve të brishta dhe të prekura nga konflikti.
Megjithatë, raporti evidenton disa probleme strukturore që vazhdojnë ta kufizojnë rritjen dhe produktivitetin. Ndër to përmenden ekonomia e madhe informale, varësia nga remitancat për konsum, pasiguria në furnizimin me energji dhe papunësia e lartë, veçanërisht te gratë dhe të rinjtë. Sektori energjetik paraqitet si një nga dobësitë kryesore. DASH shkruan se Kosova mbështetet në dy termocentrale të vjetra me linjit për rreth 95 për qind të prodhimit të energjisë elektrike dhe se ndërprerjet e paplanifikuara të tyre e rrisin varësinë nga importi i energjisë.
Raporti vlerëson se Qeveria ka ndërmarrë masa për thjeshtimin e regjistrimit të bizneseve dhe reduktimin e burokracisë, por zbatimi nuk është i njëtrajtshëm. DASH thotë gjithashtu se reformat janë ngadalësuar dhe se mungesa e dialogut konstruktiv ndërmjet Qeverisë dhe bizneseve e ka vështirësuar avancimin e tyre. Edhe vetë sektori privat e ka përshkruar komunikimin me Qeverinë si të pamjaftueshëm dhe joefektiv. Sipas raportit, Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime është krijuar si platformë për dialogun publiko-privat, por takimi i mbajtur në prill 2026 ishte i pari që nga tetori i vitit 2024. Në aspektin e hapjes së bizneseve, DASH evidenton rritje të konsiderueshme. Nga marsi 2021 deri në janar 2026 në Kosovë janë regjistruar 57.543 biznese, 16.1 për qind më shumë krahasuar me periudhën mars 2015-shkurt 2020.
Numri i bizneseve me pronësi të huaj u rrit nga 3.408 në 5.649, ose me 65.8 për qind. Pavarësisht përparimit në regjistrimin e bizneseve, kompanitë vazhdojnë të raportojnë probleme me zbatimin jo të njëtrajtshëm të rregulloreve, procedurat e gjata për lejet e ndërtimit dhe kyçjet në shërbimet publike, si dhe koordinimin e kufizuar ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunale. DASH shton se ekonomia informale krijon konkurrencë të padrejtë për bizneset e regjistruara, ndërsa aftësia e gjyqësorit për të zgjidhur shpejt kontestet komerciale mbetet shqetësim për investitorët. Raporti ndalet edhe te sistemi gjyqësor. Sipas tij, disa investitorë konsiderojnë se gjyqësorit i mungon ekspertiza e mjaftueshme për trajtimin e çështjeve komplekse ekonomike, ndërsa joefikasiteti dhe grumbullimi i lëndëve vazhdojnë t’i mbajnë rastet gjatë në gjykata.
DASH përmend gjithashtu vlerësime të analistëve për ndikim politik dhe trajtim selektiv të disa rasteve të profilit të lartë. Problemet me pronësinë janë një tjetër çështje e ngritur në raport. Sipas vlerësimeve jozyrtare të cituara nga DASH, rreth 40 deri në 50 për qind e tokës në Kosovë nuk ka tituj plotësisht të përditësuar dhe të qartë të pronësisë. Gjykatat vazhdojnë të kenë ngarkesë të madhe me raste pronësore, ndërsa zgjidhja e pretendimeve për prona banesore, bujqësore dhe komerciale konsiderohet ende problem serioz. Sa i përket korrupsionit, DASH thotë se Kosova ka krijuar legjislacion dhe institucione për luftimin e tij, por vlerëson se institucionet kanë pasur sukses të kufizuar në hetimin, ndjekjen penale, burgosjen dhe konfiskimin e pasurisë së personave të përfshirë në korrupsion. Në të njëjtën kohë, raporti thekson se kompanitë amerikane nuk e kanë identifikuar korrupsionin si pengesë për investimet e huaja direkte.Raporti përmend veçanërisht pastrimin e parave, duke thënë se besohet se kjo dukuri është më e përhapur në sektorët e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimtarisë.
DASH evidenton gjithashtu peshën e diasporës në ekonominë e Kosovës. Remitancat përbënin rreth 15.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose mbi 1.5 miliardë dollarë, sipas të dhënave për vitin 2023 të cituara në raport. Pjesa më e madhe e tyre vinte nga diaspora në Gjermani, Austri dhe Zvicër, ndërsa paratë përdoren kryesisht për konsum dhe jo për investime.Në tregun e punës, raporti thekson se informaliteti mbetet i përhapur veçanërisht në bujqësi, ndërtimtari dhe tregti. DASH shkruan se disa punëdhënës në sektorin privat vazhdojnë të mos u japin kontrata punëtorëve dhe t’i paguajnë ata me para në dorë. Në tërësi, raporti i vitit 2026 e paraqet Kosovën me një rritje të dukshme të investimeve të huaja dhe disa hapa konkretë drejt lehtësimit të biznesit, por evidenton se informaliteti, energjia, pronësia, efikasiteti i gjyqësorit dhe zbatimi i ligjeve vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të klimës së investimeve.



