AGK reagon pas largimit të shtatë gazetarëve nga Klan Kosova: Trajtim i padinjitetshëm në vendin e punës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas largimit nga puna të shtatë gazetarëve të portalit klankosova.tv, përkatësisht Genita Ukaj, Lendita Elshani, Albina Haxholli, Lum Gashi, Albert Bajrami, Kasim Gërbeshi dhe Endrit Krasniqi.

Sipas AGK-së, bazuar në një deklaratë publike dhe komunikimin e gazetarëve me këtë asociacion, arsyeja e largimit lidhet me kërkesat e drejtuesve të portalit për punë shtesë, pa kompensim adekuat, gjatë kohës së zhvillimit të një spektakli televiziv.

AGK-ja ka shprehur keqardhje që gazetarët, të cilët kanë përvojë disa vjeçare në mediat e Kosovës, janë detyruar të largohen nga puna për shkak të asaj që e cilëson si trajtim të padinjitetshëm.

Sipas këtij asociacioni, rasti dëshmon edhe një herë vështirësitë me të cilat përballen punonjësit në shumë redaksi mediatike në Kosovë.

Në reagimin e saj, AGK-ja u ka bërë thirrje Klan Kosovës dhe mediave të tjera që të respektojnë dispozitat e Ligjit të Punës, si dhe të drejtat e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë.

AGK-ja ka bërë të ditur se qëndron në solidaritet të plotë me gazetarët e larguar, duke u ofruar mbështetje për nevojat e tyre, përfshirë edhe ndihmën ligjore.

Artikuj të tjerë

Back to top button