
Një grup të rinjsh dhe qytetarësh janë mbledhur sërish këtë të diel përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, në vijim të serisë së protestave të organizuara kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Aktiviteti nisi si një grumbullim përpara dikasterit të Arsimit, nga ku më pas protestuesit nisën një marshim drejt godinës së Kryeministrisë në bulevardin kryesor.
Tubimi i organizuar këtë të diel u zhvillua i qetë dhe pa shënuar incidente apo përplasje me forcat e rendit. Si përpara Ministrisë ashtu edhe gjatë qëndrimit para godinës së qeverisë, protestuesit rikthyen në vëmendje të njëjtat kërkesa administrative dhe politike ku më kryesorja është kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Të pranishmit paralajmëruan vijimësinë e protestave.



